Presidenti Biden shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Teksas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden vendosi të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Teksas, shtet ky i goditur rëndë nga një stuhi e fuqishme bore dhe temperatura të ulëta që nuk ishin regjistruar prej vitesh.

Me këtë lëvizje, kreu i Shtëpisë së Bardhë i hap rrugën aktivizimit të më shumë fondeve federale për t’i ardhur në ndihmë këtij shteti.

Fatmirësisht, në orët e fundit është duke u rikthyer energjia elektrike në shumë zona të Teksasit, megjithatë rreth 13 milionë banorë vijojnë të kenë ende probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.

Deri në këto momente raportohet se 60 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara për shkak të motit të keq.

Në komunikatën e nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë mësohet se presidenti Biden ka ofruar asistencë federale për t’i ardhur në ndihmë përpjekjeve të autoriteteve të Teksasit për të menaxhuar situatën.