Princesha e Dubait rrëfeu se po mbahet peng nga i ati, reagon familja mbretërore

Familja mbretërore e Dubait ka thyer heshtjen pas videove ku Princesha Latifa pretedonte se po mbahej peng, duke thënë se ajo është në shtëpi, e mbështetur nga familja e saj dhe profesionistë të shëndetit.

Në një deklaratë nga ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër thuhet se pamjet e transmetuara në BBC nuk “tregojnë gjendjen aktuale” të princeshë Latifas, e cila vijon përmirësimin dhe do të kthehet në jetën publike në kohën e duhur.

Pavarsisht se Kombet e Bashkuara kërkuan nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të sigurojë prova që Princesha është gjallë, në deklaratën e familjes nuk kishte asnjë fotografi apo video të princeshës.

Pak ditë më parë BBC publikoi një video ku e bija e sundimtarit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, tha se po mbahej peng nga i ati dhe ishte e izoluar në një vilë.

Princesha Latifa bin Mohammed al-Maktoum u bë e njohur ndërkombëtarisht në vitin 2018 kur u përpoq të arratisej, me ndihmën e një ish-ushtaraku francez, por u kap më pas në det nga trupat e rojës bregdetare indiane që e kthyen në Dubai.

I ati i Latifas, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga krerët më të pasur të shteteve në botë. Ai është sundimtari i Dubait dhe nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe.