Bujaria shqiptare në Teksas, pronari i restorantit dhuron 500 vakte ushqimi për njerëzit në nevojë

Bujaria e një shqiptari në Teksas ka pushtuar mediat amerikane. Ai quhet Ari Isufaj dhe zotëron një restorant italian në Plano, në veri të Teksasit, shtet i goditur rëndë nga stuhia e motit të ftohtë. Pavarësisht se në biznesin e tij nuk kishte elektricitet, shqiptari nga Kosova, përdori sobat me gaz për të përgatitur mbi 500 vakte me ushqim, të cilat i shpërndau për njerëzit në nevojë.

“Zgjodhëm lazanja dhe spageti sepse ishin dy ushqimet më të lehta për t’u gatuar me gaz. Ne nuk patëm energji elektrike. Njerëzit këtu më thonë se ishte ushqimi i parë i ngrohtë në 3 ditë. Kjo është diçka që nuk mund ta përshkruaj”, tha ai.

Një klientë e rregullt e restorantit “Bella Italia” tha se nuk kishte elektricitet prej 41 orësh, ndërsa nuk është befasuar nga bujaria e Isufajt dhe e ekipit të tij, pasi gjithmonë kanë ndihmuar njerëzit në nevojë.

Vetë shqiptari thotë se bëri gjënë e duhur në këtë dimër të acartë. Ai e konsideron një mënyrë falënderimi për të gjithë komunitetin që i mbajti hapur biznesin gjatë periudhës së vështirë të pandemisë koronavirus.

Ari Isufaj, 35 vjeç, është refugjat i kohës së luftës dhe u largua nga Kosova në vitin 1999 duke udhëtuar drejt Teksasit në SHBA në moshën 14 vjeçare. Ai përkujton për mediat amerikane momentet e para të mbërritjes në SHBA ku qytetarët të ndryshëm e kishin ndihmuar me veshje, pavarësisht se nuk e njihnin.