Itali, mbetet e lartë përqindja e pozitivitetit. Shqetësim për disa maska, mbrojnë më pak sesa deklarojnë

Maska 1100x620

Bien shifrat e bilancit italian të pandemisë, edhe pse përqindja e pozitivitetit mbetet ende shqetësuese.

Sot autoritetet kanë deklaruar 13452 raste pozitive, në ulje nga pothuajse 15 mijë të ditës së kaluar. Në rënie edhe pacientët që kanë humbur jetën, 232 nga 251 të 24 orëve më parë. Rajoni më i goditur është sërish Lombardia, me 2514 raste, e ndjekur nga Emilia Romanja dhe Kampania.

Gjithsesi, duke parë numrin më të ulët të testimeve, niveli i pozitivitetit mbetet në rritje, me 5.4%, por për momentin qeveria italiane ka refuzuar propozimin nga disa ekspertë për të kufizuar masat në të gjithë vendin, i shndërruar i tëri në nivelin e ashtuquajtur portokalli, që sheh mbylljen e restoranteve dhe bareve, dhe ndalimi i kalimit nga bashkia në bashki.

Sipas qeverisë Draghi, vendimet do të jenë të targetuar rast pas rasti, dhe nuk do të ndryshojnë në mënyrë të menjëhershme.  

Ndërkohë, vendi që ka 2.8 milion të infektuar nga fillimi i pandemisë dhe po i afrohet pragut të100 mijë viktimave totale, është i shqetësuar edhe nga lajmi i shpërndarjes masive të disa maskave kineze që në dukje duhet të kenë mbrojtje të shtuar, si ato të tipit Ffp2, por që nga studimet kanë një mbrojtje vetëm 36% të asaj që deklarojnë realisht.