Serbia pret 150 mijë dozat e para nga AstraZeneca. Vuçiç: Jam krenar, mes 3 vendeve të vetme në botë me 3 vaksina

AstraZeneca dërgoi ngarkesën e parë me 150 mijë vaksina për Covid-19 në Serbi, duke e bërë atë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që merr dozat e zhvilluara në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit. Ato mbërritën në aeroportin e Beogradit në një avion, ndërsa vendi i prodhimit ishte India. Për t’i pritur doli vetë presidenti, Aleksandër Vuçiç, që zbuloi dhe mënyrën e sigurimit të dozave.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Serbia, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, po bëhemi vendet e vetme në botë me tri vaksina në dispozicion. Unë jam krenar për përgjegjësinë, seriozitetin që treguam në luftën për shëndetin e qytetarëve tanë, për shpëtimin e jetëve dhe progresin e ekonomisë së vendit tonë. Për këtë, ne duhej të investonim shumë përpjekje, por na ndihmuan edhe miqtë tanë nga Britania e Madhe dhe India. Duhej t’iu lutesha miqve tanë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Indi. Unë iu luta Boris Johnson-it dhe miqve të tjerë në qeverinë britanike”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se ka negociuar një çmim shumë të mirë teksa AstraZeneca dhe Oksfordi pranuan të hiqnin dorë nga disa përfitime financiare. Presidenti serb tha se në vend do të mbërrijnë edhe 150 mijë doza të tjera brenda 12 javëve. Mbi 1 milionë qytetarë janë imunizuar në Serbi ndaj Covid-19 që prej sigurimit të vaksinës në dhjetor. Aktualisht ky shtet disponon edhe 3 vaksina të tjera përveç asaj të AstraZeneca, dhe qytetarët mund të zgjedhin mes dozave të Pfizer, vaksinës kineze Sinofarm dhe asaj ruse Sputnik V.