BE bie dakord për sanksione ndaj Rusisë pas burgimit të Alexei Navalny

borrell 1100x620

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë lidhur me burgimin e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny. Njoftimi u bë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell.

“Ne kemi vendosur të vendosim masa kufizuese ndaj atyre që janë përgjegjës për arrestimin dhe dënimin e kundërshtarit rus Aleksey Navalny dhe për ta bërë këtë për herë të parë do të përdorim Regjimin Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut. Këto sanksione do të ndjekin procesin administrativ që nga sot. Shpresoj se do të vendoset shpejt se ç’lloj sanksionesh do të vendosen, do të duhet një javë”.

Marrëveshja u arrit të hënën në një takim në Bruksel, ku u tha që ata do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përgatitur masa ndëshkimore kundër katër zyrtarëve rusë.

Njerëzit në listë do të shënjestrohen me ngrirjen e aseteve dhe ndalimet e hyrjes në bllok, të cilat ka të ngjarë të hyjnë në fuqi pasi liderët evropianë të takohen muajin tjetër.

Shefit diplomatik të BE Josep Borrell ka propozuar një listë me katër emra për sanksione ndaj Rusisë pas çështjes së Alexei Navalny dhe shtypjes së dhunshme të demonstruesve, por lista, shpjegojnë disa burime diplomatike evropiane, nuk është “konsoliduar” ende. Sidoqoftë, nuk ka gjasa që oligarkët të përfshihen në listë, sepse masat kufizuese duhet të kenë një bazë solide përballë çdo sfide ligjore dhe është shumë e vështirë të përcaktohet përgjegjësia e oligarkëve në këtë çështje. Për këtë arsye, masat duhet të kufizohen në shënjestrimin e zyrtarëve të regjimit Putin.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Moskës zyrtare. Ministri i Jashtëm rus e ka quajtur një  vendim zhgënjyes.

“Vendimi i miratuar nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE nën një pretekst të pamundur për të përgatitur kufizime të reja të njëanshme, të paligjshme për qytetarët rusë është zhgënjyes”, tha ai, duke komentuar lajmet e sanksionet.