Çatitë karakteristike të Parisit, punonjësit që i mirëmbajnë çdo ditë duan njohje nga UNESCO

Në Paris njihen si “Couvreurs-zingueurs” riparuesit e çative dhe ngjiten çdo ditë mbi godinat karakteristike të kryeqytetit francez për të mirëmbajtur çatitë e mbuluara me zink, të cilat kanë një ngjyrë karakteristike të para nga lart.

Rreth 500 punonjësi kërkojnë që ekspertiza e tyre të njihet nga agjencia kulturore e OKB, UNESCO, e cila mbron trashëgimitë botërore.

“Personalisht mendoj se është art dhe duhet njohur si i tillë. Është një profesion që po zhduket”, tha riparuesi Matthieu Guinamant. 

Një aplikim për titullin i është paraqitur Ministrisë së Kulturës në Francë, dhe ministrja do të bëjë rekomandimet e saj për kandidatin përfundimtar të vendit për listën e UNESCO në muajin mars.

Për statusin e trashëgimisë botërore, riparuesit e çative të Parisit rivalizohen nga bagetat e famshme franceze dhe festivali i verës në rajonin e Zhyra.

Çatitë karakteristike datojnë në vitin 1850, kur Napoleoni III i kërkoi baronit Georges Eugene Haussmann të rinovojë arkitekturën e qytetit. Për të reduktuar kostot e për të lehtësuar punën e restauruesve, Haussmann mendoi t’i mbulonte çatitë me zink duke i dhënë kështu Parisit një pamje karakteristike me nuancat e grisë.

Sot 75 deri 80 për qind e çative të Parisit janë të mbuluara me zink, por ndërtimi i strukturave moderne kërcënon të zbehë këtë tipar unik.