Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB IRANI frame 194 1100x620

Sot rinis mësimi në sistemin parauniversitar

Pas një jave që u detyruan të bënin mësimin online, si pasojë e motit me temperatura të ulëta, sistemi parauniversitar rikthehet në programin e mëparshëm të parashikuar nga Ministria e Arsimit. Sipas këtij skenari, nxënësit që frekuentojnë ciklin fillor dhe maturantët do ta ndjekin mësimin në shkollë, ndërsa nxënësit e klasave të 6-11 do ta bëjnë atë të kombinuar. Në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet gjithashtu me dije se shkollat e mesme në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamëz, që cilësohen zona me përhapje të lartë të koronavirusit do ta vazhdojnë mësimin online deri në vendimin e Komitetit Teknik që pritet këtë javë.

Këshilli Bashkiak i Durrësit miraton sot listën e familjeve që dëmshpërblehen për tërmetin

Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit mblidhet sot në një takim jashtë radhe, me rend dite, ku parashikohet miratimi i listës së familjeve që përfitojnë grantin e dëmshpërblimit pas aplikimit të bërë në muajin dhjetor në lidhje me shkatërrimet që la pas tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Në lista janë rreth 1900 familje që presin fondin për riparimin e dëmeve që i takojnë gradëve DS1-DS3 në banesat e tyre. Por kjo nuk pritet të jetë përfundimtarja, pasi një tjetër listë pritet të miratohet gjate ditëve që pasojnë. Gjithashtu, në plan dite është edhe situata e ditëve me reshje që sollën përmbytje në disa zona të qytetit.

Zgjedhjet në Kosovë, vijon numërimi i votave të kundërshtuara dhe atyre me postë

Në Kosovë ende nuk është certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sipas zëdhënësit të KQZ, Valmir Elezi, në Kushtetutë nuk ka një limit që e përcakton atë, ndërkohë që po vijon numërimi i votave të kundërshtuara dhe atyre që kanë ardhur me postë. Janë plot 43 mijë e 500 të tilla që duhen numëruar me kujdes, ndërkohë që sot KQZ vendos nëse do të ketë numërim të qendrave të kontestuara nga palët apo jo.

Nuk kanë marrë pagën e luftës, protestë e pronarëve të hoteleve dhe muzikantëve në Maqedoni

Në Maqedoninë e Veriut, pronarët e hoteleve, studiot fotografike dhe muzikantët protestojnë sot në lidhje me atë që cilësohet paga e ndihmës ekonomike në pandemi. Nga 4 muaj që u detyruan të qëndronin të mbyllur, këta sipërmarrës ankohen se janë paguar vetëm për dy. Sipas qeverisë, ndihma është caktuar njësoj për të gjithë e nuk ka pse të bëjë dallime. Por me kërcënimin që do të bllokojnë qytetet në mbarë vendin ata presin sot apo nesër një përgjigje nga qeveria në lidhje me kërkesën e tyre.

Programi bërthamor i Iranit, Biden gati të ulet për bisedime

“Marrëveshja bërthamore duhet çuar përpara dhe për këtë duhet vullnet i të gjitha palëve. Në këtë kuadër, Joe Biden është gati të ulet në tryezë me palën iraniane që të flasin për detajet e programit bërthamor”. Kjo është deklarata më e fundit e bërë nga këshilltari i presidentit, Jake Sullivan, i cili i përgjigjet kërkesave të Hasan Rouhanit mbi një tryezë të domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit. Amerika u shkëput nga kjo tryezë në kohën e presidentit Trump.

PSG tjetër disfatë në Ligue 1, vendi i parë largohet më shumë

Bëhet javë pas jave edhe më interesant kampionati francez i futbollit. Paris Saint Germain pësoi një tjetër humbje dhe tashmë e sheh edhe njëherë veten pas Lyon dhe skuadrës së Lille që kryeson Ligue Un me 4 pikë më shumë. Kampionët u mposhtën në shtëpinë e tyre 2-0 nga Monako që duket se këtë vit do t’i rikthehet edhe Kupave të Evropës. Përtej formës së shkëlqyer në Champions, PSG po has vështirësi në kampionat, atje këtë herë nuk mund të thuhet me siguri se si do jetë fundi i këtij sezoni.

City pa rivalë, merr fitoren e 18 radhazi në Premier League

Manchester City nuk ka rivalë në Premier League dhe e ka çuar serinë e fitoreve në 18 të tilla me radhë. Forcën e këtij sezoni të Citizens e provoi së fundi edhe Arsenal, që edhe pse zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, u mund me vetëm 1 gol që erdhi pas vetëm 2 minutash lojë, nga këmbët e Rahem Sterling. Në këtë mënyrë, skuadra e Guardialos nuk lë asnjë pikë prej muajit dhjetor dhe tani marshon e vetme drejt titullit kampion me 10 pikë diferencë nga United i vendit të dytë, që këtë fundjavë mundi 3-1 Newcastle.