Lehtësimi i izolimit në Britani, shkollat rihapen më 8 mars, më vonë bizneset

Mbretëria e Bashkuar do të lehtësojë izolimin e vendosur për të luftuar përhapjen e Covid-19. Duke nisur nga 8 marsi nxënësit do të rikthehen në shkolla, ndërsa në fund të marsit të paktën 6 persona ose dy familje do të mund të takohen në ambient të hapur.

Konfirmimi erdhi nga ministri britanik për vaksinat, Nadhim Zahawi, i cili theksoi se izolimi i ashpër dhe fushta e imunizimit po japin rezultat.

“Momentalisht kemi akoma rreth 18 mijë persona në spitale dhe ajo shifër ka ardhur gjithnjë e në zbritje, gjë e cila përbën lajm të mirë pasi dukshëm izolimi ka qenë i ashpër, por edhe efikas. Por, edhe programi i vaksinimit qartësisht ka pasur ndikim.”

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të prezantojë shumë shpejt dhe rrugën drejt daljes nga izolimi, në përpjekje për të rihapur gradualisht ekonominë e shkatërruar nga pandemia koronavirus.

Për këtë, do të ndihmohet edhe nga fushata më e shpejtë e vaksinimit në botë. Me mbi 120 mijë jetë të humbura, Britania është vendi i pestë i botës me bilancin më të rëndë të viktimave. Humbjet në ekonomi prej 3 trilionë dollarësh konsiderohen si ndër më të mëdhatë në mbi 300 vjet.

Ligjvënësit britanikë do të kenë shansin të votojnë lidhur me planin e Johnson për lehtësimin e kufizimeve. Autoritetet në Skoci, Uells dhe Irlandë të Veriut, që janë përgjegjëse për vendimet lidhur me shëndetin publik, pritet që gjithashtu të zbusin masat në muajt e ardhshëm.