Pandemia në Kosovë, Infektivi i mbushur me pacientë, 70% e tyre me oksigjen

Situata në Klinikën Infektive të Kosovës është mjaft delikate nga pandemia koronavirus, pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë pretendon se gjithçka është nën kontroll.

Infeksionistët theksojnë se tashmë kapacitetet spitalore janë të mbushura me pacientë të infektuar me Covid-19, shumica e të cilëve trajtohen me oksigjen.

“Faktikisht ne i kemi kapacitetet e mbushura me pacientë me COVID, i kemi 90 pacientë, por është e mbushur për arsye se në një repart është duke u bërë vendosja e oksigjenit qendror që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ndërsa,repartet e tjera që janë në dispozicion 90 shtretër të gjithë i kemi të mbushu rme pacientë prej të cilëve 60 deri 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi dhe faktikisht Klinika Infektive vazhdimisht është e mbushur me pacientë.”, u shpreh infeksionisti Izet Sadiku.

Sadiku shton se gjatë ditëve të fundit është vënë re një rritje e lehtë e rasteve ditore me koronavirus si pasojë e lehtësimit të masave. Sa I përket varianteve të reja të përhapura në vende të ndryshme të botës, ai thotë se përveç 3 rasteve të raportuar në janar, nuk ka pasur më ndonjë tjetër. Infeksionisti ngre dhe problematikën e mungesës së ilaçeve.

“Kemi mungesa të herë pas hershme, zakonisht ajo që është prej barnave antivirale si Favipiraviri e kemi vazhdimisht, ndërsa remdesiviri mungon dhe vazhdon të blihet nga qytetarët.”

Ndërkohë,Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka siguruar ende një vaksinë që lufton Covid-19.