Rama: Nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e mandatit të dytë, por nuk ka kohë për pushim

9 SHKURT ERDI RAMA frame 16369 1100x620

Kryemistri Rama e ka nisur ditën me një videomesazh ku rreshton disa arritje të qeverisë, për të cilat thotë se u zhvilluan nën goditje të forta si tërmeti dhe pandemia.

Në mesazhin e tij, kryeministri thotë se ka qytetarë të pakënaqur pasi nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e mandatit të dytë, mes tyre dhe ai vetë, por shton se puna duhet të vijojë dhe se nuk ka kohë për pushim.

“Kemi marrë goditje të rënda dhe jemi përballur me sfida të mëdha. E di që disa prej jush jeni të pakënaqur që nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e këtij mandati të dytë.

As unë s’jam i kënaqur, jo sot, por asnjëherë! Por, të mos harrojmë çfarë kemi hequr në çdo hap në këto kohë kaq të mallkuara.

Paga minimale është rritur me një të tretën, plot 36% që nga fillimi i punës nën drejtimin tonë.

Bluzat e bardha dhe mësuesit paguhen sot shumë më mirë. Taksa për afro 100 mijë biznese të vogla është bërë zero.

Kantieret e ndërtimit janë më të shumtë se asnjëherë tjetër nëpër të gjithë Shqipërinë. Nga ky janar, paga minimale sapo u rrit me 15%.

Ka nisur aplikimi për naftën pa taksa për 70 mijë fermerë të regjistruar.

Pavarësisht krizave reale dhe të thella nga tërmeti deri te pandemia dhe pengesat artificiale e të shumta nga politika, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara.

Për të gjithë ata që duan të punojnë, jo të flenë apo të shikojnë me sy hapur ëndrra që i kanë zhgënjyer shqiptarët më shumë se njëherë, nuk ka kohë për pushim”, shprehet Rama.