Rama: Përveç Astrazeneca-s, jemi në kontakt dhe me dy shtete të tjera

22 SHKURT 2021 DITARI 19 00 P2 CLN frame 26292 1100x620

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përveç përpjekjes për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës Astrazeneca, po bëhen përpjekje me dy shtete të tjera për të shtuar sasinë e vaksinave, por nuk bëri të ditur së për këtë vaksinë dhe shtet bëhet fjalë. Nga aeroporti Nënë Tereza ku po pret mbërritjen e një sasie të dozave të vaksinave Pfizer, Rama theksoi se brenda marsit do bëhet lëvrimi i sasisë së mbi 40 mijë dozave dhe brenda 14 muajve synohet të vaksinohet e gjithë popullata.

“Brenda marsit do bëhet lëvrimi i sasisë së mbi 40 mijë dozave dhe vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshjen me një shtet mik për një sasi 360 mijë dozash të Astrazeneca dhe jemi në komunikim intensiv dhe me dy shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave dhe të mos kemi asnjë ndalim apo rënie të tempit, përkundrazi të rrisim tempin progresisvisht me objektivin që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda 14 muajve. Është objektiv ambicioz për faktin se çdo ditë lufta për të siguruar doza vaksinash është e fortë dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten të vogla. Ne nuk hyjmë te ata që dorëzohem dhe kam besim që së shpejti do të kemi lajme shumë të mira”.

Ai tha se këto doza kanë rëndësi jetike për personelin shëndetësor, ndërsa theksoi domosdoshmërinë për vaksinimin e njerëzve. Sipas Ramës deri më tani nuk ka asnjë lloj të shqetësimi për personat e vaksinuar.

“Dozat që po marrin kanë rëndësi jetike për personelin shëndetësor dhe domosdoshmërisë që ne kemi për njerëzit mbetet një raport i zhdrejtë dhe kjo është arsyeja e pagjumësisë së kësaj periudhe në sensisn e kësaj përpjekjeje.  Nga të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast të asnjë lloji shqetësimi për personat e vaksinuar dhe nga eksperienca personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”.