SHBA bëhet vendi i parë në botë që regjistron gjysmë milionë viktima nga Covid-19

usa 1100x620

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë vendi i parë në botë që kanë regjistruar më shumë se gjysmë milionë vdekje nga koronavirus.

Deri më tani janë konfirmuar 500 071 viktima nga COVID dhe më shumë se 28 milionë njerëz të infektuar, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris do të përkujtojnë humbjen më madhe të jetës të hënën në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë që do të përfshijë një fjalim nga presidenti, një moment heshtjeje dhe një ceremoni të ndezjes së qirinjve.

Në një deklaratë, presidenti i SHBA-së u shpreh: “Ne si komb duhet t’i kujtojmë ata në mënyrë që të fillojmë të shërohemi, të bashkohemi dhe të gjejmë qëllimin si një komb për të mposhtur këtë pandemi”.

Presidenti do të urdhërojë që flamujt e SHBA-së mbi pronën federale të ulen në gjysmë shtizë për pesë ditë, u tha gazetarëve një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Brazili ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi globalisht me rreth 250 000.

Për sa i përket vdekjeve për 100 000 banorë, SHBA-ja renditet e nënta, pas vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Republika Çeke, Italia dhe Portugalia.