Skadimi i kartave të identitetit, Rama pranon kërkesën e opozitës për shtyrjen pas zgjedhjeve

Kërkesën e opozitës së bashkuar për të shtyrë deri pas zgjedhjeve, vlefshmërinë e kartave të identitetit të skaduara, Edi Rama e mirëpriti duke u treguar i gatshëm ta shqyrtojë.

“Rregullat e lojës janë të aprovuara bashkërisht dhe çdo propozim i arsyeshëm që secila palë bën dhe është në interes të procesit zgjedhor, është absolutisht i mirëseardhur. Sigurisht që bën sens dhe do të trajtohet me të gjithë seriozitetin e duhur”, tha kryeministri.

Në përfundim të takimit të përjavshëm të shtabit elektoral të PS-së, foli edhe për presidentin Meta, veprimtaria ilegale e të cilit, thotë kryeministri, është para syve të të gjithëve.

“Ilir Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon Kushtetuta, por është praktikisht nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”, shtoi Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse në listat për deputetë të PS-së do të ketë emra edhe nga opozita parlamentare, Rama shmangu një përgjigje direkte.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një opozitë. Këtu bëhet fjalë për një skuadër me të gjithë ata që janë të gatshëm të përfshihen në vijën e parë të kësaj beteje”, u shpreh kryeministri.

Më konkret ishte për të komentuar frontin e rivalëve. “Në kampin tjetër, po punohet për një hibrid të pangrënshëm dhe të pagëlltitshëm”.

Sa i përket aleancave, Rama konfirmoi se PS do të garojë e vetme në këto zgjedhje.