Tryeza e negociatave, Qeveria pranon: “25 prilli”, kushti i radhës

Ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh e bindur se historitë me kushte pas kushtesh nuk do të përsëriten, por vendi duhet të kalojë edhe një sfidë tjetër, para hapit tjetër drejt BE-së.

“Shqipëria ka bërë gjithçka që i është kërkuar, radhën e ka BE. Sigurisht ka një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt konferencës së parë qeveritare dhe janë zgjedhjet e 25 prillit”, tha Xhaçka.

Optimizmin e mazhorancës e hodhi poshtë deputeti Ralf Gjoni i cili parashikoi një skenar të zymtë pas zgjedhjeve. “Këto grupe kriminale do të vazhdojnë të ushtrojnë të njëjtën influencë në zgjedhjet e 25 prillit. Shqipëria do të mbizotërohet nga vrasje politike dhe mafioze, tamam si në Sicilinë e viteve ‘70– ‘80”.

Nëse në qershor Shqipëria nuk ulet në tryezën e negociatave, shumica duket se i ka gjetur fajtorët. “Dëgjoj herë pas here intervista, deklarata, prononcime të aktorëve politik me peshë, që përfaqësojnë parti dhe institucione, duket se janë gati për të dëmtuar procesin me shpresë që do t’u japim një argument për ta zvarritur sërish integrimin”.

Por, deputeti opozitar e konsideroi integrimin një përrallë të bukur për shqiptarët, me protagonistë edhe diplomatë të huaj. “Ambasadori Britanik del lart e poshtë, shoku i Lulit dhe Monës, dhe flet për nevojën e integrimit europian të Shqipërisë. Por a ka turp më të madh? Vendi që doli nga BE, vendi që ka minuar ecurinë e BE, përfaqësuesi i këtij vendi tallet me shqiptarët.

Diskutimet në parlament u bënë në kuadër të veprimtarisë për vitin 2020 të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.