Zbatimi i masave, gjoba nuk i frikëson qytetarët, problem edhe dyndja në urbane

Transporti publik nuk është shembulli më i mirë i zbatimit të masave anti-covid. Qytetarë që udhëtojnë pa maska, mosrespektim i distancës, si dhe dyndje në urbane, është kjo panorama e përditshme që ofrohet duke e kthyer shërbimin e transportit publik në vatër të shpërndarjes së virusit.

Shifrat e larta të infektimeve dhe vdekjeve nuk po nxisin respektimin e qytetarëve për të qenë më të kujdesshëm. Çdo ditë në Tiranë bëhen shkelje të masave të propozuara për frenimin e përhapjes së pandemisë. Maska vendoset vetëm kur përballë shfaqen efektivët e policisë me fletën e gjobës në duar.

Shtimi i gjobave dhe prezenca e lartë e efektivëve të policisë nuk i ka ndërgjegjësuar sa duhet qytetarët, pasi këta të fundit enden në rrugët e Tiranës pa maska. Madje disa prej tyre ndërrojnë edhe rrugë kur shohin se janë gati për t’u gjobitur.

Më së tepërmi janë moshat e reja ato të cilat shprehen neglizhues ndaj mbajtjes së maskës. Kufizimet e orarit dhe mbajtja e studentëve larg auditorëve kundërshtohen nga qytetarët të cilët preken nga këto masa. Edhe në ambiente të tjera publike si kafenetë, vërehet një numër i shtuar qytetarësh.

Të cilësuara si bomba biologjike nga epidemiologët, qytetarët ende nuk heqin dorë nga grumbullimet masive, e sidomos në ditët e ngrohta me diell.