Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB KOSOVA frame 111 1100x620

Mbërrijnë 8190 vaksina të tjera, Manastirliu: Intensifikojmë vaksinimit

8190 doza të reja të vaksinës së Pfizer janë në duart e autoriteteve shëndetësore për procesin e vaksinimit në vend. Sasia mbërriti mbrëmjen e djeshme, ku sikurse herët e mëparshme u pritën nga kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu. “Nga nesër vijojmë të intensifikojmë vaksinimet. Këtë javë kemi ambicien që të mbyllim stafin mjekësor në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtë javë jemi në Kukës, Korçë e Berat që do të hapim proceset e vaksinimit dhe kështu vazhdojmë”, tha Manastirliu.

Zgjedhjet në Kosovë, ambasadori amerikan kërkon formimin e qeverisë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Cosnett, iu bëri thirrje palëve politike të tregohen të përgjegjshme dhe të krijojnë sa më parë qeverinë në vend. “Populli ua ka bërë të qartë në zgjedhje së kërkohet vendosmëri dhe nuk i duhet një palë zgjedhje të reja. Tani radhën e kanë politikanët për të çuar në fund vullnetin e tij”, tha Kosnet. Një mendim e dha edhe për presidentin e ri të vendit. Sipas ambasadorit amerikan, duhet të pritet për këtë hap pasi pa krijimin e qeverisë, çdo përpjekje do të ishte e kotë.

Vendimi në Gjermani, kush ka marrë një dozë të AstraZeneca, dozën e dytë mund ta zgjedhë vetë

Në Gjermani e kanë gjetur zgjidhjen më të mirë për dyshuesit e vaksinës AstraZeneca. Çdokush që e ka marrë dozën e parë të saj, mund ta alternojë të dytën me një tjetër vaksinë që preferon apo që mund të certifikohet në të ardhmen. Këtë e konfirmoi vetë ministri për Shëndetësinë, Jens Spahn. “Kjo do të ishte e mundur pa ndonjë problem, nëse do të kishte furnizime të mjaftueshme në dispozicion, për shembull në fund të vitit, pasi të gjithëve t’u ishte ofruar një vaksinë”, shtoi ai.

Biden takim online me Trudeau, diskutohet bashkëpunimi dhe pandemia

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zhvillon sot takimin e tij të parë dypalësh me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau. Gjatë diskutimeve që do të bëhen online, për shkak të masave kundër Covid-19 pritet të nxirret në pah partneriteti i fortë midis dy vendeve fqinje. Njoftimin e bëri zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.“Takimi do të jetë një mundësi për të dy drejtuesit për të rishikuar përpjekjet e përbashkëta në fusha me interes të përbashkët si kundërpërgjigjja ndaj COVID-19, ndryshimet klimatike dhe lidhjet ekonomike që bashkojnë vendet, si dhe lidhjet e njerëzve që ekzistojnë mes dy shteteve tona”, tha Psaki.

Charles në syrin e kritikave, vizitoi babanë e sëmurë me Covid në spital

Princi Charles është përballur me një lumë kritikash pas vizitës që i bëri të atit 99-vjeçar në spital, teksa ky i fundit po trajtohet kundër Covid-19. E gjithë mëria në mediat sociale lidhet me faktin se askush nuk lejohet të vizitojë të afërmit e tyre në spital kur trajtohen nga Covid. Filiph, Duka i Edinburgut dhe Mbretëresha Elisabeth kanë marrë gjatë muajit janar dozën e parë të vaksinës, por si sot, një javë më parë ai u shtrua në spital pasi shfaqi shenja të sëmundjes.

Deklarata e Faucit: Përçarjet politike sollën humbje jetësh

Përçarjet politike në SHBA shkaktuan shpërqendrimin nga pandemia dhe sollën humbje të madhe të jetëve njerëzore. Ky është përfundimi më i fundit i imunologut Anthony Fauci, sipas të cilit Amerika mund t’i kishte shmangur fatalitetet nëse qeveritë e saj do të ishin përqendruar më shumë te situata me virusin. “Edhe në rrethanat më të mira, ky do të kishte qenë një problem shumë serioz”, tha dr. Fauci, duke theksuar se me gjithë respektimin e fortë të masave të shëndetit publik, vendeve të tilla si Gjermania dhe Britania e Madhe iu desh të përballeshin me vështirësi për të luftuar virusin.

Sevilla merr fitoren e 6 radhazi dhe ngjitet në vendin e tretë

Sevilla është një nga skuadrat më në formë në kampionatin spanjoll dhe këtë e tregoi fitorja e gjashtë radhazi. Skuadra andaluziane ka një ecuri mbresëlënëse duke shtuar këtu faktin që duhet të luajë edhe një ndeshje më shumë e që mund ta pozicionojë edhe më lart në renditje. Sevilla mundi edhe Osasuna, 2-0, me golat e Diego Carlos dhe Luk De Jong ndërsa është ngjitur në vendin e tretë, duke zbritur më poshtë Barcelonën. Skuadra e spanjollit të mirënjohur Julien Lopetegi ka për momentin 48 pikë, 4 më pak se Real Madrid dhe 7 pikë me pak se vendi i parë që mbahet nga Atletico.