Muçi prezantohet në Varshavë: Jam në një ekip të madh, dua të shfrytëzoj rastin që mu dha

muci 1100x620

Ish-sulmuesi i Tiranës Ernest Muçi u prezantua sot zyrtarisht si lojtar i ekipit më të njohur polak, Legia e Varshavës. I riu 19 vjeçar ka firmosur një kontratë për 4 vjet e gjysmë, deri në qershorin e vitit 2025.

“Legia është një mundësi e madhe për mua”, ishin fjalët e para të Muçit si lojtar i saj, që shtoi se “tani duhet të jap më të mirën time. Klubi ka një infrastrukturë të përsosur dhe ka lojtarë në lartësinë e duhur” .

Lojtari i Shpresave tregoi edhe detaje për momentin kur filloi traktativa me polakët. “Menaxheri me tregoi për interesimin para vitit tëri. Isha shumë i lumtur, fola për këtë me Tiranën një muaj më parë, dhe pranuan se Legia ishte një mundësi e mirë.  Mezi pres të luaj, objektivi im është të fitojmë kampionatin, por synoj përmirësimin tim, se dua të shfrytëzoj rastin që mu dha ”.