Pastërtia e kandidatëve në zgjedhje, Yuri Kim, takim me Celibashin në KQZ

23 SHKURT KIM CELIBASHI VINI STAND UP frame 439 1100x620

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është takuar këtë të martë me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

Takimi vjen në një kohë kur në protokollin e KQZ-së do të nisë depozitimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Ambasadorja Kim është shprehur disa herë lidhur me personat që do të garojnë, duke theksuar se në zgjedhjet parlamentare duhet të ketë kandidatë të pastër. Kjo ka qenë edhe tema e diskutimit me Celibashin, duke i kërkuar që në zgjedhje të mos ketë kandidatë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, duke i verifikuar para se t’i shkojnë për votëbesim, qytetarëve.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të garojnë 46 parti. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 9 subjekte zgjedhore të fundit që kishin paraqitur kërkesën brenda afateve ligjore, ndërsa 4 parti nuk u pranuan të garojnë pasi nuk kishin plotësuar dokumentet në kohë.

Krahas partive, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të miratojë edhe koalicionet parazgjedhore, ku sipas afateve të Kodit Zgjedhor, brenda datës 24 shkurt duhet të depozitohen pranë institucionit marrëveshjet parazgjedhore. Deri tani, dihet që ka vetëm një koalicion opozitar, pasi shumica socialiste ka deklaruar se në këto zgjedhje do të garojë e vetme.

Këto dy vendime i hapin rrugë edhe miratimit të modelit të fletës së votimit, çështje e cila, deri më tani, nuk ka gjetur dakordësinë e palëve.