Plani për daljen nga izolimi, britanikët shpresojnë për një verë të këndshme

Britanikët mbështesin planin e ngadaltë dhe të kujdesshëm të qeverisë për daljen nga izolimi i fortë, i vendosur për të luftuar përhapjen e Covid-19.

Kryeministri, Boris Johnson, i vendosur nën presion për të mundësuar lirinë e miliona qytetarëve të bllokuar në shtëpi dhe për t’i ofruar shpresë bizneseve të goditura rëndë, tha se faza e parë e zbutjes së kufizimeve do të mundësojë rikthimin e nxënësve në shkolla.

Në planin 5-javor me 4 faza të ndryshme përfshihet rikthimi i kontakteve sociale, rihapja e bareve dhe restoranteve si dhe e bizneseve të tjera. Kjo iu jep shpresë britanikëve për një stinë verore të mirë dhe pa praninë e Covid-19.

“Është lajm i mirë. Fëmijët duhet të kthehen në shkolla. Bizneset duhet të hapen. Kështu që po, është lajm i mirë. Erdhi koha dhe të shpresojmë që të mos kthehemi sërish pas”, shprehet kompozitori Darren Benjamin.

 “Kjo qasje e ngadaltë e të ecurit përpara shpresoj që të na mundësojë një verë të këndshme”, theksoi llogaritari Mark Tolhurist .

 “Jam e lumtur që nuk duhet të marr vendime, por mendoj se gjithçka duhet të bëhet me kujdes. Ne jemi në izolimin e tretë dhe njerëzit janë lodhur, prandaj duhet të jetë një dalje e ngadaltë se sa të përfundojmë sërish në izolim. Dua të jem e duruar dhe të shpresojmë që të kemi një verë të këndshme”, shton infermierja, Heli Korte.

Kryeministri Johnson tha se shumica e kufizimeve do të hiqen jo përpara 21 qershorit, dhe vendimet do të bazohen në varësit të nivelit të përhapjes së infeksionit dhe fushatës së imunizimit të qytetarëve.

 Gjithashtu, hapat e planit me 4 faza për daljen nga izolimi do të jenë të kthyeshëm në çdo rast, nëse situata përkeqësohet. Qeveria britanike ka premtuar vaksina për të gjithë të rriturit që jetojnë në vend, deri në fund të verës. Aktualisht, po zbaton një ndër fushata më të shpejta të imunizimit në botë, ndërsa 17.6 milionë britanikë, çereku i popullatës, ka marrë dozën e parë.