Rama paralajmëron lokalet: Do gjobiteni dhe do mbylleni nëse pranoni deputetë për fushatë

Shifrat rekord të infektimeve në vendin tonë nuk kanë ndikuar në pezullimin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Ndonëse ka një vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve, sërish grumbullimet partiake vijojnë në ambientet e lokaleve, sallave dhe zyrave të ndryshme elektorale.

Më herët, kryeministri Rama paralajmëroi kolegët e tij se nuk do të kursehen gjobat në rast se shkelin rregullat e pandemisë.

Partitë politike nuk dorëzohen, ndërsa forca e shtetit me ndërgjegje ose jo, nuk vepron në maksimumin e saj. Kreu i qeverisë zgjedh tjetër drejtim për të adresuar paralajmërimin: bujtësit e fushatës.

Përballë fushatës dhe dëshirës së subjekteve politike për ta zhvilluar atë pa marrë parasysh pasojat mbi shëndetin e qytetarëve, kryeministri Rama tha se po mendohet një zgjidhje tjetër për mbajtjen e takimeve elektorale, me të cilën synon edhe të shmangë sulmet.

Për zhvillimin e fushatës elektorale është gjobitur me 5 milionë lekë të reja kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, Edmond Spaho, Xhemal Qefalia, ministry Blendi Klosi si dhe disa përfaqësues të opozitës në rrethe.