Soreca: Shoqëria civile të inkurajojë qytetarët të denoncojnë shkeljet apo intimidimet në zgjedhje

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, përgëzoi rolin e shoqërisë civile në vendin tonë dhe inkurajoi që ajo të thotë edhe më shumë fjalën e saj në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Në fjalën e tij, në aktivitetin “Qeverisje për Ndryshim: Propozime të Shoqërisë Civile”, të organizuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Westminster Foundation for Democracy, Soreca tha se kjo është hera e parë që shoqëria civile shqiptare ka mundësinë të paraqesë prioritetet te partitë politike para zgjedhjeve.

“Fushata zgjedhore nuk do të thotë që kandidatët të flasin me njëri-tjetrin, por me qytetarët. Duam të dëgjojmë për tema që nuk janë pjesë e fushatës. Kërkesat e të rinjve për fushatën zgjedhore është një çështje që unë dua të promovoj. Shoqëria civile është një urë që lidh politikën me qytetarët. Shoqëria civile duhet të jetë një pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes”, tha ambasadori i BE.

“Ju inkurajoj që të ndihmoni qytetarët të votojnë dhe ndihmojini që të refuzojnë dhe të denoncojnë çdo shkelje, mashtrime apo intimidime që mund të ndodhin. Integriteti i zgjedhjeve përcaktohet në ditën e zgjedhjeve dhe më parë”.

Soreca theksoi edhe një herë se liderët e partive kanë përgjegjësi ligjore dhe morale që të sigurojnë që kandidatët në lista të plotësojnë standardet më të larta. “Vendi meriton deputetë që do të mbështesin agjendën e reformave europiane për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet janë të ndryshme në çdo shtet të Bashkimit Europian, por thelbi është që qytetarët vendosin bazuar tek oferta politike. Është edhe më e thjeshtë se kaq, ka të bëjë me vetë qytetarët, cilësinë e jetës së tyre, të ardhmen dhe aftësisë së tyre për të ndikuar tek ajo, përmes votës”, tha ai.

Qeverisje për Ndryshim: Propozime të Shoqërisë Civile

Ndiqni aktivitetin live në YouTube