Spitalet rajonale, 74 të shtruar me Covid-19 në Durrës dhe Shkodër

Një javë nga hapja e dy spitaleve rajonale të Durrësit dhe Shkodrës, si spitale për trajtimin e pacientëve me koronavirus, numri i të hospitalizuarve në këto dy spitale kanë shkuar në 74 pacientë të shtruar.

Numrin më të madh të pacientëve të shtruar dhe atyre që po trajtohen në terapi intensive e ka spitali i Durrësit, i cili ka një kapacitet maksimal prej rreth 80 shtretërish.

Ndërsa ai i Shkodrës ka një numër thuajse sa gjysma e pacientëve në Durrës dhe situata është shumë më e qetë sa i takon fluksit të shtrimeve. Por gjysma e të shtruarve me Covid-19 në këtë spital ndodhen në reanimacion në terapi intensive.

Këto të dhëna janë nga burime të A2 në Durrës dhe Shkodër, pasi stafet e spitaleve raportojnë shifrat e tyre vetëm pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Nga të dhënat e sipërcituara, gjendja e të shtruarve në këto dy spitale paraqitet e qëndrueshme. Mes fluksit të personave të infektuar dhe atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore në spitale, një lajm i mirë për të dy spitalet rajonale është fakti që deri më tani, pas javës së parë të hapjes së tyre, nuk është shënuar asnjë rast vdekjeje.