Vrasja e gazetares në Maltë, dënohet me 15 vjet burg një nga 3 të akuzuarit që pranoi fajin

gazetarja malte 1100x620

Dënohet me 15 burg Vincent Muscat, pasi u shpall fajtor për vrasjen e gazetares investigative të Maltës Daphne Caruana Galizia.

Caruana Galizia u vra në Maltë më 16 tetor 2017, në një atentat me makinë bombë. Vrasja tronditi vendin e pak më shumë se 500 mijë banorëve

Muscat është një nga tre të akuzuarit për vendosjen e bombës, por fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm. Mendohet se ai mund të ketë rënë dakord për pranimin e fajit me Prokurorin e Përgjithshëm.

Në një deklaratë të dhënë nga një avokat në gjykatë, familja tha se personi që pranoi përfshirjen në vrasje “i mohoi asaj të drejtën për jetë” dhe “të drejtën për të shijuar familjen e saj”.

“Vrasja makabre e Daphne Caruana Galizia ishte e qëllimshme dhe duhej të ishte parandaluar. Viktima ka paguar me jetën e saj dhe familja e saj po vuan humbjen e të dashurës së tyre”,  tha familja në një deklaratë.

Për vite me radhë, kishte hetime të bllokuara për çështjen, por në 2019 disa ministra të qeverisë, duke përfshirë kryeministrin Joseph Muscat, dhanë dorëheqjen mes pyetjeve për lidhjen e tyre me personat e përfshirë në vrasje.

Biznesmeni i shquar Yorgen Fenech u arrestua në vitin 2019, ndërsa po arratisej në një jaht. Ai dyshohet se ka planifikuar vrasjen.