Aeroporti i Vlorës, gara u mbyll më 1 shkurt, Rama: Mund të mos lidhet kontrata

Prej 1 shkurtit, qeveria po shqyrton ofertat e mbërritura për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Projekti, që diskutohet seriozisht prej 1 mandati të plotë, pas prishjes së negociatave me turqit, iu drejtua tenderit ndërkombëtar. Por, për shkak të pandemisë dhe procedurave të ankimimit, u pezullua dhe u shty për më 1 shkurt.

Dy janë konsorciumët ndërkombëtarë që kanë aplikuar në këtë garë, bashkime kompanish që, sipas ministres Balluku, i plotësojnë kriteret kryesore, si garancia bankare dhe financiare.

Tashmë, prej disa javësh, po vlerësohen kushtet teknike dhe po negociohet, proces ky që tashmë po vonohet duke kaluar pritshmëritë e ministres për të nisur punimet brenda marsit.

Megjithatë, pak ditë më parë, në një bashkëbisedim me qytetarët, kryeministri Rama u shpreh se një marrëveshje, edhe mund të mos arrihet.

Në një ditë me mbylljen e garës për aeroportin, një grup prej 36 organizatash vendase dhe të huaja, i dërguan një letër të hapur kryeministrit, për të anuluar ndërtimin e kësaj vepre.

Shqetësimi i tyre mbështetet te zona e investimit, në brendësi të kufijve të zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë. Një shqetësim që e kishte shprehur edhe Komisioni Europian, në një dokument zyrtar të tetorit, 2020.

Reagimi i vetëm i qeverisë, prej atëherë, është një prononcim i ministrit të Turizmit, Blendi Klosi, që deklaron se aeroporti nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por i jep zhvillim turizmit dhe të gjithë qarkut.

Një argument që bie në kundërshtim me vetë dokumentet e tenderit të publikuar nga qeveria, që saktëson se 286 hektarë në brendësi të kësaj zone, i takojnë aeroportit.