Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB 0HARADINAJ frame 627 1100x620

Zgjedhjet e 25 prillit, skadon sot afati për regjistrimin e koalicioneve

Sot është dita e fundit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore e në këtë kuadër, me Partinë Demokratike pritet të firmosin sot Fatmir Mediu dhe Agron Duka. Brenda dhjetë ditësh ndërkohë duhet të prezantohet edhe lista e emrave që përfaqësojnë PD në zgjedhjet e 25 prillit. Para se të regjistrohen në KQZ, të dy aleatët i kanë kërkuar kryedemokratit që në lista të jetë prezente edhe logoja e partisë së tyre, pavarësisht se listohen në listën e PD.  

Lëvizja e shtetasve gjatë pandemisë, INSTAT publikon shifrat

Pavarësisht se jemi në një vit pandemik, lëvizja e shtetasve vendas e të huaj në vendin tonë ka qenë prezente edhe pse në numra më të ulët, krahasuar me një vit më parë. Këto detaje bëhen publike sot në orën 11:00 nga INSTAT, sipas të cilit, gjatë vitit që lamë pas, shumatorja ka lëvizur me 58 për qind më pak se në 2019. Edhe numri i shtetasve shqiptarë që dolën jashtë territorit u ul me 50 për qind, sipas të njëjtave burime. Në muajin dhjetor të 2020 në vendin tonë hynë 442 966 shtetas të huaj. Sot mësohen të dhënat për muajin janar.

Zgjedhjet në Kosovë, Vjosa Osmani: Presim sa më shpejt rezultatet

“Respektoni të gjitha procedurat ligjore në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve”. Ishte ky apeli i bërë nga presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimeve të shumta që ka pasur ditët e fundit me përfaqësues të diplomacisë së huaj të akredituar në Kosovë. “Qytetarët e kanë ndërtuar rrugën tonë përpara, nga e cila nuk do të devijojmë në asnjë moment e në asnjë rrethanë”, shkroi ajo në një status në rrjetet sociale. Duke listuar prioritetet e vendit gjatë viteve që e presin, Osmani është besëplotë se certifikimi i rezultatit do vijë sa më shpejt në mënyrë që të fillojë puna për krijimin e qeverisë.

Pandemia, ambasadori Kosnett: Vaksinoni stafet diplomatike

Ambasada amerikane ka ngritur alarmin për mungesën e vaksinës për personelin e saj, në një kohë kur Amerika po bën përpara me vaksinimin e popullatës. “Rreth 20 për qind e personelit të ambasadës janë infektuar me COVID-19, dhe shumica dërmuese janë personel lokal, që është shenjë për kontrollin joefektiv të sëmundjes në Kosovë. Kosova sillet sikur një vend që nuk ka raste me COVID-19. Por, Kosova është një shtet i shkatërruar nga pandemia”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. 

Gjykata e Hagës, sot seanca ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Në Gjykatën e Hagës, zhvillohet sot seanca e radhës ndaj dy veteranëve të luftës në Kosovë, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Nasim Haradinaj kërkoi nëpërmjet avokatit te tij, dy javë më parë, lirimin nga paraburgimi dhe ndjekjen në gjendje të lirë, por kjo gjë iu mohua nga gjykatësi i çështjes.

Pandemia në Greqi, sot vendoset për masat

Në Greqinë fqinje, autoritetet shëndetësore mblidhen sot të vendosin mbi masat parandaluese të përhapjes së koronavirusit. Vendi ndodhet në masa të shtuara në shumë zona ku përhapja e virusit është më shqetësuese, që parashikojnë mbyllje të bizneseve jo të domosdoshme dhe ndalim të qarkullimit në fundjavë, përjashto rastet për punë apo emergjenca shëndetësore. Greqia ka një përmirësim sa i takon pandemisë, por mediat flasin për mundësinë e zgjatjes së masave edhe për dy javë të tjera.

Biden takim me Trudeau, pandemia, klima dhe Kina në fokus

Pandemia, klima dhe Kina ishin temat e takimit të parë bilateral të presidentit amerikan, Joe Biden, me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau. “SHBA nuk ka miq më të afërt e të ngushtë se Kanadaja”, tha Biden. Në takimin online që zgjati rreth dy orë, liderët u ndalën gjatë te pandemia dhe përballja me të, si dhe klima. “Na ka munguar lidershipi amerikan gjatë viteve të fundit”, tha kryeministri kanadez. Më tej, ai lavdëroi Biden që iu ribashkua marrëveshjes për klimën, pasi Trump e largoi vendin nga nisma e shteteve kryesore.

Doktor Fauci optimist: Vaksinimi do ta ndryshojë situatën

“Pandemia dhe numri i lartë i viktimave do të vihet shpejt nën kontroll nga procesi i vaksinimit”. Këtë njoftoi për CNN imunologu amerikan, Anthony Fauci. “Unë besoj se do të dëgjoni më shumë rekomandime se si mund të zbutni ashpërsinë e disa prej masave, veçanërisht kur keni të bëni me gjëra të tilla si familja juaj personale kur njerëzit janë vaksinuar”, tha dr. Fauci. Dhe në fakt, disa prej ndryshimeve janë tani publike pasi personat e vaksinuar nuk kanë nevojë për karantinë nëse bien në kontakt me një person të infektuar. Nga ana tjetër, furnizimi me vaksina pritet të rritet, siç bëjnë të ditur kompanitë farmaceutike.