Covax nis shpërndarjen e vaksinave, Gana, shteti i parë që siguron dozat përmes skemës

Gana bëhet vendi i parë që siguron vaksina të koronavirusit përmes iniciativës Covax. Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë synon shpërndarjen e barabartë të vaksinave në të gjitha shtetet.

Deri në fund të vitit, Covax pretendon të shpërndajë rreth 2 miliardë doza të vaksinës. Një total prej 600 mijë dozash të vaksinës së AstraZenecas dhe universitetit të Oxfordit mbërritën në kryeqytetin e Ganës, Accra ditën e mërkurë.

Në një deklaratë të përbashkët, OBSH dhe fondi i OKB për fëmijët, UNICEF e cilësuan këtë si një moment tejet të rëndësishëm dhe thanë se ky ishte fillimi i operacionit më të madh të shpërndarjes së vaksinave në histori.

Deri më tani, shtetet e pasura kanë përvetësuar shumicën e vaksinave në dispozicion, duke lënë duarbosh më të varfrit. Skema Covax, u krijua nga OBSH dhe Aleanca për Vaskinat Gavi dhe Koalicioni për Inovacionet e Gatishmërisë Epidemike, për të shmangur që vendet më të varfra të lihen në fund të radhës. 

Programi parashikon që vendet e pasura të cilat blejnë vaksina, të pranojnë të ndihmojnë edhe shtetet në zhvillim. Pjesë e skemës është edhe Shqipëria, e cila sipas kalendarit të Covax pret të sigurojë mbi 140 mijë doza.