Gërxhani: Politika nuk e kupton çfarë peshe ka turizmi. Duhet ta rikonceptojmë

Kliton Gërxhani, zv.kryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve parashikon që edhe gjysma e parë e vitit 2021 nuk do të ketë aktivitet të shtuar tregtar për operatorët turistikë. “Nuk marrim asnjë lloj sinjali nga partnerët që diçka mund të lëvizë. Do të jemi pothuajse 2 vite pa biznes, gjë që është shumë kritike”, tha ai në A2 Business.

Gërxhani është i pakënaqur me trajtimin nga qeveria, por jo vetëm. “Përveç se u lamë pa ndihmë gjatë gjithë vitit, nuk po shohim asgjë të re nga partitë në fushatë. Kërkojmë t’u shpjegojmë edhe një herë peshën që ka turizmi. Kalohet lehtë, duke thënë që turizmi “ia hodhi”, një shprehje e çuditshme”.

Gërxhani tha se sektori ka dy propozime për qeverinë, për marrjen e masave afatshkurtra dhe afatgjata. “Në masat afatshkurtra, problemi kryesor është mbijetesa. Kërkojmë të ndihmohen bizneset ekzistuese me grante, me skemat e ripunësimit për punonjësit e tyre dhe të ketë një plan emergjent për taksat. Në planin afatmesëm afatgjatë kemi propozuar vendime strategjike, mendojmë se duhet të rikthehet fondi i turizmit. Një fond ku grumbulloheshin të ardhura nga turizmi dhe jo vetëm , që në këtë rast është kaq i domosdoshëm. Duhet të rikonceptojmë turizmin, të kërkojmë cilësi. Marketimi duhet të kapë trendin e fundit, ku ndahet buxhetimi i turizmit dhe vendimmarrja”.

Ndiqni emisionin e plotë: https://a2news.com/live/