Studimi i Deloitte, biznesi pret një rimëkëmbje të ngadaltë të ekonomisë

Bizneset shqiptare janë më pesimiste se qeveria dhe institucionet financiare ndërkombëtare, për ecurinë e ekonomisë këtë vit. Një anketë e Deloitte Shqipëri me drejtuesit financiarë dhe aksionerët e kompanive, tregon se biznesi pret një rritje ekonomike vetëm 1% këtë vit.

Studimi i Deloitte

Sipas zv.drejtoreshës pranë Departamentit të Këshillimit Financiar në Deloitte, Denada Dosti, kjo diferencë e madhe me 5.5%-shin që pret qeveria, vjen për shkak se biznesi e sheh periudhën e rikuperimit në një kohë disavjeçare. Diferenca të mëdha, sipas raportit, ka edhe në pritshmëritë për aktivitetin e biznesit.

“Sektorët që presin një zhvillim më të lartë janë teknologjia, kujdesi shëndetësor dhe turizmi me shpresën që të fillojë aktiviteti normal dhe të ketë rikthim të turistëve të munguar në vitet që vijnë. Sektorët që presin rritje më modeste janë sektorët që janë stabël në treg, shitja me pakicë ose shumicë, të cilët kanë një cikël normal dhe nuk janë dëmtuar shumë nga kriza”, thotë Dosti.

Kriza ndërkohë i ka shërbyer kompanive si një moment reflektimi që të identifikojnë strategjitë për të ardhmen, që të jenë më të përgatitur ndaj goditjeve. “Sektori bankar, telekomunikacioni, shtyllat kryesore kanë zhvillimet teknologjie dhe diversifikimin e produktit. Industria e rëndë, që gjithashtu zë peshë shumë të madhe në ekonomi, fokusin e ka në zhvillim rajonal e ndërkombëtar. Investimet kryesore që synon turizmi është zhvillimi i kapitalit njerëzor”, thotë Dosti.

Studimi evidenton se start-up-et janë ato që presin një rritje më të lartë të aktivitetit të tyre, ndërsa nga ana tjetër bizneset e vogla dhe të mesme janë më pesimiste, për shkak të mundësive të kufizuara për të bërë investime.