Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Turizmi i zhgënjyer nga programi i PD, Teliti: Nuk premtojmë mrekullira, por propozime konkrete

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2021, 22:18 | Ekonomi
Turizmi i zhgënjyer nga programi i PD, Teliti: Nuk premtojmë

I zhgënjyer nga programi elektoral i Partisë Demokratike për turizmin, zv.Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve Klinton Gërxhani deklaroi në A2 Business se në programin e saj nuk është përmbledhur ajo nevojë që ky sektor ka deklaruar përgjatë viti.

“Kam parë programin për turizmin dhe përveç një pike që ka të bëjë me uljen e TVSH-së, unë nuk kam parë gjë të prekshme. Janë gjëra të përgjithshme dhe është vështirë t’i matësh. Ajo që mungon dhe ndjehem i zhgënjyer është që opozita ka pasur kohën për të parë reagimin tonë dhe nuk është mbledhur ajo nevojë që kemi thënë ne gjatë vitit. Çfarë masash emergjente duhet të marrë opozita për këtë sektor që është në kolaps dhe vizioni për të ardhmen është plan i dytë”.

Por sipas Telitit në programin elektoral të PD-së janë përfshirë pjesa më e madhe e shqetësimeve të bizneseve për të cilat kjo forcë politike ka dalë me propozime konkrete për ekonominë. Sipas tij brenda 3 muajve të parë kur PD të jetë në pushtet do të ndërmerren të gjitha vendimet me karakter fiskal që biznesi të dijë regjimin e taksave.

“Pjesën më të madhe të shqetësimeve i kemi hedhur në programin tonë, ndaj kemi dalë me këtë set propozimesh për të gjithë ekonominë dhe kemi dalë edhe me propozime konkrete për rimëkëmbjen. Kërkesat e biznesit janë të drejta. Kemi përzgjedhur kërkesat themelore të biznesit jo thjesht taksën e sheshtë dhe i kemi hedhur në planin e punës, kemi folur për thjeshtim të procedurave, moratoriumin një vjeçar, rimbursimin e TVSH-së për detyrimet e njohura dhe transparencë, si mblidhen e shpenzohen taksat dhe parashikueshmëri fiskale. Brenda 3 muajve të parë do të ndërmerren të gjitha vendimet me karakter fiskal dhe 4 vitet e ardhshme çdo biznes do të dijë regjimin e taksave. Hapi i parë është moratoriumi i inspektimeve”.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra kërkoi ndërhyrje kirurgjikale dhe lehtësim fiskal si taksa e karbonit dhe akciza, por edhe heqjen e pagesës së TVSH-së në doganë për lëndët e para.

“Taksa e sheshtë dhe vlera që vendos PD është një politikë fiskale e djathtë, nuk ka sipërmarrës që të mos dojë të paguajë më pak taksa, por jemi të ndërgjegjshëm për taksën për të ardhurat e shtetit ne kërkojmë ndërhyrje kirurgjikale të lehtësimit fiskal, si taksa e karbonit, akciza. Kemi kërkuar pagesën e TVSH në doganë për lëndët e para që duhet të hiqet se është vlerë e shtuar. Duhet të kemi kulturën e pagesës së taksës por duhet të arrijmë te fitimi dhe që është konkurrueshmëria”.

Në këtë pikë Teliti theksoi se ky është kufiri që PD mund të shkojë me reduktimin e taksave. Sipas tij strukturat e reja dhe moratoriumi një vjeçar do ta ndihmojnë shumë biznesin.

“Ngritje e dialogut të drejtë qeverisje-biznes, jo thjesht për sy e faqe por në përfitim të të dyja palëve. Ne do të donim të përcaktonim ulje taksash, ky është kufiri që ne mund të shkojmë te reduktimi i taksave. Ne kemi qenë të qartë e të thjeshtë. Implementimi dhe vendosja e moratoriumit njëvjeçar dhe ngritja e struktura të reja adapte është ndihmë e madhe për biznesin. Inspektoriati nuk do të vijë të marrë ryshfet, por të bëjë detyrën dhe e fundit është ndëshkimi”.

Ndërkohë Agim Rapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar kërkoi nga Teliti formalizimin e sektorit të bujqësisë, pasi sipas tij 85% e këtij sektori është informal.

“Ne u kemi propozuar përfaqësuesve të PD platformën tonë dhe po dëgjojmë disa propozime që kemi bërë që janë parashikuar në platformën e tyre. Jemi të shqetësuar për rritjen e të ardhurave dhe i themi Telitit që a do mundeni vetëm të realizoni formalizimin e këtij sektori që është 85 % i paformalizuar dhe a do shqyrtoni legjislacionin brenda një kohe të shkurtër. Rritja e të ardhurave mbetet shqetësimi ynë”.

Në përgjigje të tij Teliti u shpreh se formalizimi i këtij sektori do të vijë si pasojë e ndryshimeve ligjore.

“Situata nuk është e thjeshtë, nuk pretendojmë mrekullira, këtë ia kemi lënë Shalsit, se nëse e lidhim me bujqësisë 90 mln eurot janë fondet e huaja, kurse ne flasim për fonde buxhetore 100 mln në vit. Në 3 muajt e parë do të bëhet rishikimi i kuadrit ekzistues, kurse formalizimi do të vijë si pasojë e ndryshimeve ligjore, që karta e ID do jetë nipt i fermerit, barazimi i TVSH në hyrje e dalje që është problem për fermerët do i japë shtysë formalizimit. Duke subvencionuar çdo vit 100 mln euro me subvencione të drejta në llogarinë e fermerit, informaliteti nuk mund të eliminohet por do të jetë më i ulët se sot”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani