“Lëvizja për Ndryshim”, Topalli garon në 4 qarqe, vijon bashkëpunimi me Patozin

Sipas Kodit Zgjedhor, kryetari i partisë mund të garojë deri në 4 qarqe. Jozefina Topalli po mendon ta shfrytëzojë këtë mundësi në listat e partisë së saj “Lëvizja për Ndryshim”.

“Do jem në Tiranë, në Shkodër, ndoshta edhe në Lezhë dhe në Durrës. Këto dy të fundit ende s’janë vendosur, por dy të parat janë të sigurta”, shprehet ajo.

Pandemia ia ka vështirësuar fushatën, por ish-kryetarja e Kuvendit thotë se do të ketë një listë të larmishme kandidatësh për deputetë, ku përveç saj askush nuk vjen nga fusha e politikës.

Bashkëpunimi me Astrit Patozin do të vazhdojë edhe pse jo nën listën e përbashkët të një koalicioni.

“Lëvizja për Ndryshim” ka gati programin, i cili do të ketë si shtylla kryesore, luftën ndaj korrupsionit dhe papunsisë. Në ditët në vijim ish-nënkryetarja e PD-së, do të prezantojë dhe kandidatët e qarqeve të tjera, pasi bëri publik ata të Tiranës.