Shtrenjtohen karburantet, çmimet në Shqipëri të larta për drejtuesit e mjeteve

Çmimi i karburanteve është shtrenjtuar javët e fundit, duke ndjekur trendin e bursave ndërkombëtare.

Teksa nafta dhe benzina kanë shënuar një rritje të moderuar në tregun vendas, ata që kanë ndjerë një shtrenjtim të menjëhershëm janë përdoruesit e automjeteve me impiant gazi, që zënë mbi 7% të flotës aktuale të veturave. Çmimi i gazit ka kapërcyer javët e fundit nga një mesatare prej 44 lekësh për litër, në 53 lekë për litër.

Pas një viti me kërkesë të ulët, për shkak të kufizimeve të pandemisë, rihapja graduale e ekonomisë botërore ka rikthyer këtë fillimvit konsumin e lartë të karburanteve.

Për drejtuesit e mjeteve, çmimet e larta e bëjnë të vështirë përballimin e kostove të transportit.

 “Janë të papërballueshme, për nivelin e jetesës që kemi këtu. Ne as vete nuk dimë si ja dalim. Në Maqedoni ishte 110 lek benzina”, thonë disa qytetarë.

Sipas indeksit të Global Petrol Prices, pas karantinës, çmimi mesatar i karburanteve në Shqipëri zbriti me mbi 35%, duke zbritur nga dhjetëshja e vendeve me karburantet më të shtrenjta në Europë. Por pas luhatjeve të fundit në bursa, duket se këto çmime po i drejtohen rritjes.