Çmimi i karburanteve, taksat zënë pjesën më të madhe në atë që paguajmë

Mbi çmimin e karburantit, për të cilin shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se në vende të tjera, barra fiskale luan një rol shumë të rëndësishëm.

Aktualisht, janë rreth 8 taksa dhe tarifa vendore, të përfshira në çmimin e një litri naftë, duke nisur nga akciza prej 37 lekësh, taksa e qarkullimit prej 27 lekësh, TVSH-ja 20%, taksa e karbonit, si dhe tarifat e tjera, si skanimi, markimi, kontrolli i pompave.

Kjo bën që sado të luhatet çmimi në bursat ndërkombëtare, Shqipëria të ketë gjithmonë një çmim të shtrenjtë për këtë produkt. Megjithatë, sipas ekspertit fiskal, Eduart Gjokutaj, nuk janë vetëm këto 8 taksa që përcaktojnë çmimin final.

“Taksat zënë vetëm një pjesë të caktuar, që shkon 30-35%. Pjesa tjetër lidhet me çmimin që është pjesa më dominuese. Taksat kanë pjesën e tyre, por s’janë vendimtare në vendosjen e çmimit. Kompanitë duhet të kenë një tjetër lloj transparence për shitjet me shumicë dhe pakicë”, shprehet ai.

Gjokutaj analizon edhe ndikimin që do të kishte reduktimi me 24 lekë i çmimit të karburanteve, siç propozon Partia Demokratike.

“Premtimi për karburantin ndikon direkt te konsumi. Efekti në buxhet është 14-15 miliardë lekë. Këto lekë që i humbasin buxhetin, ngelin në xhepat e konsumatorëve”, thekson ai.