Emma Watson lë karrierën e aktrimit?

Thashethemet thonë se Emma Watson është gati t’i thotë lamtumirë karrierës së saj si aktore. 30-vjeçarja e njohur me famë ndërkombëtare ka luajtur që në moshë shumë të re rolin e Hermione Granger në Harry Potter. Ajo gjithashtu ka luajtur në filma po aq të famshëm, si Wallflower (2012), E bukura dhe Bisha (2017) dhe Gratë e Vogla (2019).

Por aktorja nuk ka marrë pjesë në ndonjë projekt të ri filmik që nga dalja në skenë e “Grave të Vogla”, për këtë arsye kanë filluar thashethemet për tërheqjen e parakohshme të aktores.

Në fakt është e paqartë se cilat janë planet afatgjata të Watson. Duket se ish-ylli i Harry Potter ka marrë një pauzë të gjatë nga aktrimi dhe nuk po kërkon aspak angazhime të reja.

Disa thonë se pas një karriere të gjatë në qendër të vëmendjes, Emma Watson dëshiron të kalojë më shumë kohë me burrin e saj të ardhshëm Leo, një biznesmen amerikan i cili u pasurua duke shitur kanabis legal në Los Angeles.

Përpos kësaj Emma Watson është larguar gjithashtu edhe nga fansat e saj në internet. Ajo nuk ka postuar në Instagram ose Twitter që nga vera e shkuar.

Por për të mohuar të gjitha thashethemet ishte menaxheri i saj Jason Weinberg, i cili konfirmoi për Entertainment Weekly se Emma nuk do të largohet nga aktrimi.

“Llogaritë e Emës në rrjetet sociale janë joaktive, por karriera e saj nuk është.”

Prandaj duhet të mendojmë që Emma ka bërë një pushim, por që ky pushim është vetëm momental (ndoshta edhe për shkak të koronavirusit) dhe se së shpejti do ta shohim aktoren në një rol ikonik, si të gjithë të tjerët në karrierën e saj.