Kostoja e karburanteve në ekonomi, problemi jo vetëm taksat, gjurmë për fiksim të çmimit

Ulja e çmimit të karburantit përmes reduktimit të taksave është një lëvizje e mirëpritur nga biznesi, një pjesë të madhe të kostove të secilit e zë pikërisht transporti.

Për ekspertin e ekonomisë, Vjoldi Danaj, çdo ndryshim për të ulur këtë barrë, do të avantazhonte ekonominë shqiptare, që historikisht ka pasur një nga çmimet më të shtrenjta të karburanteve në rajon. Nafta më e lirë do t’i hiqte kufizimet për t’u zhvilluar shumë industrive, që do të mund të konkurronin me produkte dhe shërbime më të lira.

Por problemi nuk qëndron i gjithi tek taksat. Ulja e çmimeve të naftës në tregjet botërore nuk transmetohet pothuajse asnjëherë në Shqipëri, pa kaluar të paktën disa muaj. Danaj ndan shqetësimin e ekspertëve të tjerë të fushës, për mundësinë e ekzistencës së një marrëveshjeje të fshehtë midis operatorëve kryesorë të tregut, për të fiksuar çmimet në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve.

Eksperti propozon gjithashtu një mekanizëm për mbështetjen me subvencione nga shteti të sektorëve më të prekshëm nga luhatjet në çmimet e karburanteve, si bujqësia.