Meta: 25 prilli do të jetë dita e triumfit të demokracisë

meta 1100x620

Duke kujtuar 22 të vrarët nga regjimi komunist 70 vite më parë, me akuzën se kishin hedhur një bombë në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë, presidenti Ilir Meta tha se shqiptarët duhet të mbrojnë demokracinë me çdo sakrificë.

“Kjo masakër e llahtarshme, e kryer brenda një nate, simbol i terrorit ndaj mendimit ndryshe, është një nga krimet më të rënda shtetërore të atij sistemi, që kurrë nuk duhet të harrohet, për të mos lejuar më të tilla tragjedi të përsëriten në të ardhmen. Sepse, “një popull që fle në demokraci, rrezikon që një ditë të zgjohet në diktaturë”. Ndaj 25 prilli do të jetë dita e triumfit të demokracisë dhe fuqisë së votës të çdo qytetari të Republikës”, shkroi Meta në Facebook.

Me akuzën e hedhjes së një bombe në ish-Legatën Sovjetike në Tiranë, më 26 shkurt 1951, 22 intelektualë, Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka dhe Lluka Rashkoviç, u ekzekutuan pa gjyq nga regjimi komunist.