Meta kthen ligjin për karrierën ushtarake në FA: Dekurajon arsimimin, cenon meritokracinë

Meta konference 19 shkurt 2021 20 1100x620

Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin “Për karrierën ushtarake në FA”. Në arsyetimin e kreut të shtetit thuhet se ky ligj paraqet disa problematika thelbësore, të cilat diktojnë nevojën e rishikimit me qëllim përmirësimin e tyre nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas Metës ky ligj dekurajon arsimimin e të rinjve, nxit idenë e gabuar se gjen punë dhe “pa shkollë”.

“Synohet të ulet niveli i arsimit të kërkuar për t`u përfshirë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa deri më sot kërkohej si kriter i domosdoshëm ligjor përfundimi i arsimit parauniversitar (shkollës së mesme), tanimë synohet që pas hyrjes në fuqi të këtij ligjit, të lejohet hyrja në radhët e Forcave të Armatosura edhe e atyre shtetasve që kanë përfunduar vetëm ciklin arsimor 9-vjeçar”.

Presidenti thekson se ky ligj cenon meritokracinë dhe drejtimin në Forcat e Armatosura

“Forcat e Armatosura qëndrojnë e mbështeten fuqishëm mbi dy shtylla kryesore: Shtylla e karrierës; dhe shtylla e hierarkisë së drejtimit. Duke cenuar njërën nga këto dy shtylla bazë, siç bëhet përmes këtij parashikimi në ligj, janë cenuar drejtpërsëdrejti vetë Forcat e Armatosura, me pasoja të pariparueshme për të ardhmen e vendit. Nëse i hapet rrugë kësaj nisme ligjore, atëherë si President i Republikës, i bëj pyetje përfaqësuesve të Qeverisë dhe Kuvendit, se: I kujt është interesi që trupa jonë ushtarake bazë e Forcave të Armatosura të cenohet dhe të humbasë kredibilitetit e saj?  Jam i prirur të besoj, se kjo është pasojë e mungesës së vizionit dhe vlerësimit të cekët, gjë e cila duhet riparuar domosdoshmërisht. Mos cenoni ecurinë në karrierë dhe fitimin e gradave të ushtarakëve, përmes ndërhyrjes së Qeverisë”. 

Meta ka bërë thirrje që të përmirësohet trajtimi financiar i ushtarakëve, për të ndalur largimin e tyre nga vendi.

“Problematika nuk qëndron te kriteri “i fortë” i arsimit, por përveç arsyeve të tjera që lidhen me largimin e të rinjve e që unë si President i Republikës i kam bërë publikisht me dije, problematika lidhet drejtpërdrejtë edhe me mënyrën e trajtimit të ushtarakut, përfshirë trajtimin financiar, që ka çuar në largimin në masë nga radhët e Forcat e Armatosura të të rinjve dhe të rejave me arsim të lartë dhe trajnime brenda dhe jashtë vendit”.