Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Meta: Qeveria duhet të rimbursojë urgjentisht të gjithë qytetarët që janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ilaçet falas të infektuarve

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2021, 14:06 | Politikë
Meta: Qeveria duhet të rimbursojë urgjentisht të gjithë

Presidenti Ilir Meta shprehet se dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje po hyjnë në borxhe për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave.

Për këtë arsye, Meta kërkoi nga qeveria të lërë propagandën dhe të rimbursojë pa vonesë qytetarët që janë kuruar në shtëpi dhe t’u sigurojë ilaçet falas të gjithë të infektuarve.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i shtetit shprehet se po ashtu duhet që urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv të popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia anti-COVID.

“Dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje kanë humbur kursimet apo po hyjnë në borxhe në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave të shumta.

Qeveria duhet urgjentisht të RIMBURSOJË pa asnjë vonesë të gjithë qytetarët, të cilët janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ILAÇET FALAS të gjithë të infektuarve. Dokrrat me “shëndetësinë falas” dhe çdo demagogji tjetër duhet të marrin fund!

Qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë një virusi kaq të rrezikshëm, që vetëm dje mori 21 jetë, shifër rekord për numrin ditor të viktimave.

Urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv dhe jo “klasor” i popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia antiCOVID, mbështetur mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda e jashtë vendit.

“Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale! I vetmi prioritet dhe preokupim duhet të jetë: Mbrojta e shëndetit dhe jetës së qytetarëve!”, shkruan presidenti.

A2 CNN Livestream

Dita jonë