Rama: Sot kemi më shumë biznese të vogla sesa në janar 2020

26 SHKURT RAMA BERAT frame 49736 1100x620

Në Shqipëri ka sot më shumë biznese të vogla të regjistruara sesa në janar 2020. Kështu tha kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me qytetarë në Berat. Ai tha se me vendimet e fundit kundrejt kësaj kategorie, “shteti heq dorë nga çdo akses në fitimet e biznesit të vogël”.

“Na rezulton se sot kemi më shumë biznese të vogla në Shqipëri sesa kishim në janar 2020 para se të fillonte pandemia. Kjo është arsyeja themelore, biznesi është inkurajuar. Për biznesin e madh e kam thënë, nuk do të ulim tatimfitimin, do të mbetet 15%, të paktën për një periudhë kohe. Pastaj nëse krijohen mundësitë, pse jo? Ne jemi që, ata që fitojnë më pak, të paguajnë më pak, ata që fitojnë më shumë të paguajnë më shumë. Por edhe biznesin e madh nuk e kemi lënë pa mbështetur”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se sot konsumi është kthyer në shifrat e përpara pandemisë, sepse është injektuar shumë para në ekonomi, ndërsa 25 mijë individë janë punësuar në programin e rindërtimit.

Sa i përket turizmit, Rama shtoi se është një sektor i goditur, por jo aq shumë sa do të ishte goditur nëse Shqipëria do të kishte mbyllur kufijtë. “Këtë vit do të jetë më mirë sesa vjet. Sepse edhe një pjesë e të huajve të vaksinuar, do të lëvizin, edhe një pjesë e rëndësishme e jona që do të jenë vaksinuar do ta kenë më të lehtë, pra do të ketë pak më shumë frymëmarrje këtë vit”, tha Rama.