Rrugët që vrasin!

Edicionet informative prej vitesh  bombardohen  nga lajmet e aksidenteve rrugore. Kronikat televizive flasin për jetë të humbura në rrugët e Shqipërisë ndërsa  debati përsëritet çdo vit përmes së njëjtës histori atë të statistikave të policisë e që gjithmonë, jetët barazohen me numra.

Dëgjojmë shpesh për mënyrën se si u aksidentua një automjet me një këmbësor, se si sinjalistika nuk zbatohet e më shumë mungon, njollat e zeza e infrastruktura inekzistente e rrugëve, vijat e bardha e semaforët pulsues, por asnjëherë për sigurinë rrugore.

Viti 2020 u ideua nga autoritetet si vit i sigurisë rrugore, me pikësynim nxitjen e kujdesit ndaj rregullave të qarkullimit rrugor. Dëshira dhe synimi qeveritar nuk u përputh me shifrat e aksidenteve rrugore, që vijuan të mbeten të larta. Aksidentet fatale me jetë të humbura nuk ndalën as gjatë pandemisë, kur lëvizja e mjeteve ishte e kufizuar.

Siguria rrugore është një çështje e cila nuk merr vëmendjen që duhet të ketë dhe për potencialin që paraqet në shpëtimin e jetës së qytetarëve. Statistikat tregojnë se në janarin e këtij viti numërohen 125 aksidente rrugore nga 93 të tilla një vit më parë duke u rritur me 35 përqind.

Pavarësisht fushatave të herëpashershme të autoriteteve rrugore dhe atyre policore kërkohet zbatimi i kodit rrugor. Por që të zbatosh, një kod edukimi luan një rol parësor.

Problematika e madhe qe ndodhin aksidentet në Tiranë janë ato midis këmbësorëve dhe automjeteve. Këmbësori nuk ka marrë njohuri të lëvizjes, ashtu siç ka marrë drejtuesi i mjeti. Ka një hendek aty”, thonë ekspertët.  

Shqipëria ndonëse nuk e ka diçka të tillë si lëndë mësimore, kodin rrugor, nuk arrin ta shquajë as aty ku duhet, në rrugë. Veç edukimit i cili duhet të jetë si lëndë mësimore në shkolla ekspertët përmendin disa nga pikat ku metropoli shqiptar por jo vetëm mund të investojë në sigurinë rrugore.

Siguria rrugore nënkupton dhe semaforët por kur ato pulsojnë pas një orari të caktuar në mbrëmje të gjitha kryqëzimet e kryeqytetit mund të quhen njolla të zeza.

Ajo që i nevojitet kryeqytetit nuk janë vetëm këto elementë. Alternimi i lëvizjeve të automjeteve aplikohet në disa vende të zhvilluara, ndërsa për ekspertët Unaza e Tiranës duhet të jetë e lirë nga parkimet.

Pesë vitet e fundit Tiranës i janë shtuar në masë korsitë e biçikletave. Hapësira e dedikuar për pedaluesit nuk është përkthyer në zero aksidente për ta. Një pjesë e përdoruesve të biçikletave janë rrezik i vijueshëm për vetën dhe të tjerët, pasi i injorojnë këto korsi, që përdoren edhe nga mjete të motorizuara.

Nga ana tjetër Shqipëria është i vetmi vend ku funksionon një organ administrative shtetëror ose ai që njohim si komisioni por që është në përbërje të policisë.

Gjobat që u vendosen qytetarëve duhen parë me kujdes pasi edhe ato kanë efektet sociale dhe ekonomike në çdo familje.

Po të dalim jashtë Tiranës në ato që ne quajmë autostrada, por që në të vërtetë janë rrugë interurbane kryesore, rrezikshmëria është dhe më e madhe.

Po të shkojmë akoma më tej kemi rrugët interurbane dytësore. Për ekspertët këto janë segmentet më të rrezikshme ndërsa standardet në projektimin e tyre nuk janë zbatuar asnjëherë.

Në një kohë që policia vit pas viti deri në 2050 kërkon të arrijë vizionin zero jetë të humbura nga aksidentet, numrat e humbjes se jetës nuk do të minimizohen nga gjobat, as nga afektivët e fshehur rrugëve me radar  e ku jo në pak raste kanë rrezikuar dhe jetën e tyre, as nga tabelat e ngritura kryqëzimeve për kontrollin e dokumenteve, por nga një vizion i ri në studimin e ngjarjeve rrugore jo vetëm pasi ato ndodhin.