Shpërthimi i koronavirusit, shtyhet ndeshja Torino-Sassuolo

torino 1100x620

Torino-Sassuolo, ndeshja e programuar për mbrëmjen e sotme, nuk do të zhvillohet. Shkak, është një shpërthim i koronavirusit në radhët e klubit torinez, atje ku janë prekur plot shtatë futbollistë, duke nisur nga kapiteni Bellotti, e të tjerë si Baseli apo Linetti.

Jo vetëm kjo ndeshje, por Torino mund të zhvendosë edhe takimin e ardhshëm kundër Lazios, teksa Liga Italiane e Futbollit kërkon të shmangë një përhapje edhe më të gjerë që do të ishte katastrofike në këtë pikë të kampionatit.

Ndeshja mes Torinos dhe Sassuolos do të luhet në datën 17 mars. Po në këtë datë, është caktuar të zhvillohet edhe ndeshja e prapambetur, mes Juventusit dhe Napolit, ajo që duhet të kishte përfunduar në javën e dytë të Serisë A. Fillimisht u akordua 3-0 në tavolinë për bardhezinjtë, më pas vendimi u kthye dhe u vendos të riluhej, më në fund caktohet edhe data e zhvillimit të saj.