Atentati me eksploziv: Mbetet në qeli Gjergj Cukali, zbardhet dëshmia që e “mbërtheu”

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Gjergj Cukalin, i dyshuar si porositës i atentatit me eksploziv të telekomanduar ndaj Gjon Menës, ndodhur më 9 shkurt në Kamëz.

Cukali do të qëndrojë në paraburgim për akuzën e “vrasjes”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe për interes, “shkatërrim të pronës” me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje. Përmes avokatëve të tij, i dyshuari ka mohuar akuzat dhe pretenduar mungesë të provave. Avokatët janë shprehur se klienti i tyre nuk kishte asnjë njohje apo konflikt me të dëmtuarin dhe se nuk kishte dhënë asnjë porosi për atentatin ndaj tij tek dy të arrestuarit për ngjarjen, kushërinjtë Enver dhe Edmond Jakini, të cilët janë lënë me herët në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Por prokurori në sallë tha se kishte dyshime të arsyeshme të përfshirjes së Cukalit në shpërthimin e telekomanduar në automjetin “BMË X5”të Gjon Menës. “Çelësi” i prokurorisë ka qenë rrëfimi i të arrestuarit Enver Jakini, i cili ka pohuar se i janë premtuar 30 mijë euro nga Gjergj Cukali për të vënë bombën e telekomanduar në makinën e Menës.

Sipas Jakinit, bomba i ishte dhënë nga vetë Cukali, i cili i kishte dhënë vetëm 2 mijë euro. Tentativa e vrasjes së Menës është përballja më e fundit me drejtësinë e Gjergj Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”.

Në tetor të vitit të kaluar Prokuroria pushoi çështjen e nisur ndaj tij si i akuzuar për vrasjen e ish-policit, Arben Bilali, ndërsa më herët ai është fajësuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje dhe shitje të narkotikëve”.