Thotë se po mbahet peng nga i ati, princesha Latifa thirrje Mbretërisë së Bashkuar të hetojë edhe rrëmbimin e motrës së saj

Princesha Latifa bint Mohammed Al Maktoum, vajza e sundimtarit të Dubait dhe kreut të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, i ka dërguar një letër policisë në Mbretërinë e Bashkuar duke iu kërkuar atyre të hetojnë rrëmbimin e pretenduar të motrës së saj më të madhe, Princeshës Shamsa, nga Britania në vitin 2000.

“Në verën e vitit 2000 Shamsa u arratis nga shtëpia e pushimit të familjes në Angli. Ajo ishte 18 vjeç dhe me mendje të shëndoshë”, shkroi princesha Latifa, e cila gjithashtu ka pohuar më herët se po mbahet peng nga i ati.

“Ajo ishte e skllavëruar dhe e shtypur, vuajti abuzim fizik nga anëtarët e familjes. Ajo donte të kërkonte azil në Mbretërinë e Bashkuar, por pas disa muajsh u rrëmbye. Ajo u mor nga rruga duke ulëritur, dhe më pas e qetësuan dhe e kthyen përsëri në Dubai”, shton Latifa.

Princesha shtoi se motra e saj ishte torturuar, dhe ishte mbajtur peng pa asnjë datë lirimi, gjykimi ose akuze.

“Qëllimi i saj përfundimtar është të jetë një person i emancipuar, të jetojë me dinjitet, të ketë liri zgjedhjeje dhe liri të lëvizjes. Ajo dëshiron të drejtat themelore që të gjitha qeniet njerëzore duhet t’i kenë”, vazhdoi princesha.

Princesha tha se motra e saj ka lidhje të forta me Anglinë dhe ishte rrëmbyer në një mënyrë të paligjshme, në tokën e Mbretërisë së Bashkuar.

“Gjithçka që unë kërkoj nga ju është që t’i kushtoni vëmendje çështjes së saj, sepse kjo mund t’i sigurojë asaj lirinë, e cila është e vetmja gjë që ajo dëshiron në jetë”, shtoi ajo.

Në një deklaratë dërguar CNN, Policia e Cambridgeshire konfirmoi se ka marrë një letër, që është shkruar në shkurt të vitit 2018, në lidhje me këtë rast, ndërsa zyra e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë nuk pranoi të komentojë.

Letra iu dërgua autoriteteve nga një grup që ka mbajtur vazhdimisht komunikim me princeshën Latifa bint Mohammed Al Maktoum, deri në gjysmën e dytë të vitit 2020. Ata thonë se nuk e publikuan letrën më herët, sepse ishin të shqetësuar për sigurinë dhe jetën e saj, por tani që nuk kanë më asnjë komunikim, duhet të nisin urgjentisht hetimet për të dhe të motrën.

Kujtojmë se vajza e sundimtarit të Dubait që u përpoq të largohej nga vendi në vitin 2018, iu ka dërguar miqve të saj video me mesazhe sekrete ku akuzon të atin se po e mban peng dhe se ka frikë për jetën e saj.