Java e modës në Milano, Giorgio Armani prezanton koleksionin e ri “në humor për pop”

Giorgio Armani rikthen modën dhe stilin e viteve ’80 për vjeshtën e këtij viti, me ngjyrat e ndezura dhe modelet e guximshme. Stilisti veteran prezantoi koleksionin e ri vjeshtë/dimër 2021 në Javën e Modës në Milano.

 “Mbreti Giorgio” u rikthye në vendlindjen e tij, duke sugjeruar ngjyrat rozë dhe lejla në krijimet e reja, me pantallonat me bel të lartë, puplat e shallet shumëngjyrëshe, shoqëruar edhe me bizhutë e rënda, në një koleksion të quajtur “Në humor për pop”.

Në një sfilatë virtuale, modelet prezantuan edhe kominoshet velvet apo xhaketat e palltot e trasha, disa me butona të mëdha e të tjera me shumë shkëlqim.

Stilisti 86-vjeçar, megjithatë, mbetet besnik i elegancës së zezë apo printimeve. Ndërsa për meshkuj në koleksionin e ri, Giorgio Armani propozon kostumet në të zezë dhe gri, edhe në përditshmëri.