Gjykata e Lartë zbardh vendimin, dyshimet si i “shiti” gjermanët ish-zv.drejtori i OFL, Artan Shkëmbi

Gjykata e Lartë ka zbardhur arsyetimin e vendimit përmes të cilit refuzoi kërkesën e ish-zv.drejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi, për tu kthyer në detyrë.

Zyrtari i lartë i Policisë që po hetohet nga SPAK për “korrupsion” dhe “zbulim i akteve ose i të dhënave sekrete”, këRkoi në Gjykatën e Lartë heqjen e masës së “pezullimit nga detyra” caktuar për të nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Gjykatës së Posaçme.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerësonte se nuk kishte asnjë shkelje proceduriale nga gjykata e Apelit dhe për këtë shkak vendoste të mospranonte ankimin e bërë nga Shkëmbi. Nga ana tjetër, vendimi hedh dritë mbi dyshimet e ngritura nga SPAK kundër një prej drejtuesve të OFL, operacion që do të godiste pasuritë e pajustifikuara të botës së krimit.

Referuar vendimit të siguruar nga A2CNN, Shkëmbi është futur në rreth pasi Prokurorisë së Hamburgut në Gjermani i është dekonspiruar hetimi kundër dy shqiptarëve të dyshuar për trafik të kokainës. Hetuesit gjermanë kanë kuptuar se shqiptarët me iniciale K. V. dhe A. P. ishin informuar për hetimin nga një zyrtar policie në Shqipëri. Sipas palës gjermane ky zyrtar policie iu kishte dhënë rregullisht informacione anëtarëve të grupeve kriminale në mënyrë direkte apo indirekte, përmes një personi tjetër.

Nën këto dyshime, më 19 mars 2020 pala gjermane i kërkoi homologëve në Shqipëri të verifikonin pasuritë e dy shqiptarëve, por me një kusht: “nëse mund të garantohet që këto informacione nuk do të arrijnë te personat nën hetim në Gjermani, nëse jo, ju lutemi që kërkesa të mos përpunohet deri sa hetimet në Gjermani të kalojnë ne fazën e hapur”.

Referuar dokumenteve, kërkesa në fjalë mbërriti në Policinë e Shtetit në 3 prill të vitit të kaluar, e cila ka kthyer përgjigje gati tre javë më vonë në 22 prill. Por, ajo që i druheshin gjermanët ka ndodhur. Në 10 prill, një javë pasi kishte ardhur shkresa gjermane, prokurorët e Hamburgut kanë konstatuar se kërkesa e tyre i ishte dërguar në telefon një prej dy shqiptarëve nën hetim, si edhe fotot e tij dhe të dyshuarit tjetër të nxjerra nga sistemi Deep See i Policisë në Shqipëri.

Nga verifikimet ka rezultuar se i vetmi person që ka loguar në këtë sistem në 10 prill ishte i dyshuari Shkëmbi. Në vijimësi, në seancat gjyqësor për masën e sigurimit, Shkëmbi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave dhe ka kërkuar pushim të çështjes.