Privilegjimet me vaksinat, argjentinasit protestojnë kundër skandalit

“Më kthe mbrapsht vaksinën time”. Me këtë slogan, mijëra argjentinas mbushën rrugët e Buenos Airesit për të protestuar kundër skandalit për privilegjim të personaliteteve në fushatën e imunizimit, që ka tronditur qeverinë e presidentit Alberto Fernandez. 

Në sheshin historik “Plaza de Mayo” para pallatit presidencial, demostruesit përplasnin tiganë e tenxhere dhe mbanin në duar pankarta ku shkruhej se vaksinat nuk duhet të jenë privilegj.

Çanta plastike në fomën e trupave të viktimave u vendosën perdhe.

“Nuk ka asnjë kuptim të vaksinohen politikanët përpara popullit. Në një vend tjetër ata do të ishin dorëhequr. Prandaj po protestojmë.”, shprehet një prej tyre.

Qeveria argjentinase nisi vaksinimin e punonjësve të shëndetësisë në fund të muajit dhjetor dhe gjatë ditëvë të fundit iu dhanë dozat e para personave mbi 70 vjec. Por javën e fundit u zbulua se dhjetëra njerëz kanë shfrytëzuar lidhjet e tyre për të përfituar vaksinën jashtë radhe. Mes tyre, ministri 38-vjeçar I ekonomisë, ish-presidenti Eduardo Duhalde, bashkëshortja dhe fëmijet e tyre.

Skandali në përshkallëzim kthen vëmendjen ndaj frikës më të gjerë në rajon lidhur me korrupsionin dhe qasjes ndaj vaksinave që janë në sasi të reduktuar. Shteti amerikanojugor numëron mbi 2 milionë raste dhe 50 mijë vdekje nga covid-19.