Rama dhe Manastirliu në Arenën Kombëtare: Do nisim vaksinimin nën 65-vjeç

bce4bd10 2d2d 4011 a8e5 5b4f6ae8cc9a 1100x620

Kryeministri Edi Rama bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në Arenën Kombëtare të grupmoshës mbi 80 vjeç.

Manastirliu tha se janë kryer në total mbi 13 mijë vaksinime, duke theksuar se ky proces vijon në të gjithë vendin.

“Sot kemi vijuar me vaksinimin e grupmoshës +80 vjeç, duke futur fashën +90 vjeçare të parën. Ndërkohë që vijojmë vaksinimin e stafeve mjekësore. Dhe në total së bashku me planifikimet sot arrijmë në mbi 13 mijë vaksinime. Tashmë ka filluar vaksinimi edhe në Korçë, në Vlorë, në Shkodër, në Elbasan, dhe në qendra të tjera”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë duke u përgatitur vaksinatorët e rinj, të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin, për të vijuar me vaksinimin kapilar.

“Jemi duke u përgatitur për vaksinatorët e rinj, pra për infermierët të cilët do të kryejnë në Arenën Kombëtare trajnimin, që më pas të shpërndahen në të gjithë vendin. Janë të rinj të cilët janë përzgjedhur nga portali, por edhe studentë, dhe forcat e armatosura, për të filluar vaksinimin kapilar në momentin që do të kemi edhe vaksinat”.

Duke i’u referuar ardhjes së dozave të tjera të vaksinës Manastirliu bëri me dije se me 14 mijë vaksinat e Astra Zeneca, do të nisë vaksinimi i personave edhe nën 65 vjeç.

“Presim 15 mijë vaksina ditën e nesërme. Dhe brenda 10 ditëshit të parë 14 mijë vaksinat e Astra Zeneca nga instrumenti Covax, ku do të fillojmë vaksinimin edhe nën 65 vjeç, sigurisht me targetin e përcaktuar nga ISHP”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.