SHBA miraton vaksinën me një dozë të vetme të Johnson & Johnson

Autoritetet amerikane kanë aprovuar zyrtarisht vaksinën më një dozë të vetme të Johnson & Johnson kundër koronavirusit.

Vaksina që mund të ruhet në frigoriferë të zakonshëm, i bashkohet vaksinave Pfizer dhe Moderna të aprovuara më herët në SHBA.

Rezultatet nga provat e kryera në SHBA, Afrikën e Jugut dhe Brazil treguan se vaksina ishte mBI 85% efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes dhe 66% efektive në përgjithësi kur përfshiheshin raste të moderuara.

Veçanërisht u theksua fakti se nuk kishte vdekje midis personave që kishin marrë vaksinën dhe nuk kishte shtrime në spital 28 ditë pas marrjes së saj.

Vaksina është bërë nga firma belge Janssen, e cila ka rënë dakord të sigurojë për Amerikën 100 milionë doza deri në fund të qershorit, ndërsa dozat e para mund të jenë në dispozicion që nga java tjetër.

Mbretërisha e Bashkuar, Bashkimi Europian dhe Kanadaja gjithashtu kanë bërë porositë e tyre, dhe 500 milionë prej tyre janë porositur gjithashtu përmes skemës Covax për të furnizuar kombet më të varfra.

Presidenti Joe Biden e përshëndeti lajmin si “emocionues për të gjithë amerikanët dhe një zhvillim inkurajues”, por paralajmëroi se “lufta nuk ka mbaruar”.

Autorizimi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) erdhi pasi një komitet i jashtëm ekspertësh mbështesin unanimisht vaksinën të premten.

Deri më tani i vetmi vend tjetër që ka aprovuar vaksinën për përdorim emergjent është Bahreini, i cili i dha dritën jeshile të enjten.