“5 Maji”, lagjja e harruar si në Mesjetë në Elbasan

Lagjja “5 Maji” në qytetin e Elbasanit është ndër lagjet më të mëdha, por edhe më të harruara sa i takon investimeve në infrastrukturë.

Mijëra banorë të kësaj lagjeje janë të detyruar të ecin në rrugë të pashtruara, që në periudhë pa shi ngrenë pluhur, ndërsa kur ka shi, krijohen pellgje me ujë. Banorët shprehen se në këtë zonë ka dekada të tëra që nuk investohet.

Akoma më e rëndë bëhet situata në këto rrugë kur bie shi. Gropat me ujë vështirësojnë jo vetëm lëvizjen e makinave, por edhe lëvizjen e njerëzve dhe të nxënësve që duhet të shkojnë në shkollë. Madje, një prej banorëve të kësaj zone shprehet se rruga është e vështirë për të gjithë.

Ndërsa, kur i pyet nxënësit e shkollës se si ia bëjnë në kohë me reshje, japin këtë përgjigje: “Veshim çizme”.

Pragzgjedhjet janë shpresa e vetme për këta banorë se mos dikush investon në këtë lagje të harruar, por me sa duket, edhe kësaj radhe kjo është lënë në harresën disa dhjetravjeçare.