Arrestohet ish-Presidenti i Barcelonës

bartomeu 600x338

Arrestohet Josep Maria Bartomeu, ish-numri një i klubit të Barcelonës. Ai ka rënë në pranga, ndërsa policia katalanase zbuloi në zyrat e klubit këtë të hënë, fakte që vërtetojnë skandalin e shumëpërfolur “Barçagate”.

Një vit më parë, dolën zëra se klubi paguante kompani në rrjetet sociale dhe persona në platformat “online” për të kritikuar lojtarët dhe ish-trajnerët që kanë punuar me Barcelonën. Lionel Messi, Xavi, Pique apo ish-tekniku Pep Guardiola kanë qenë më të shënjestruarit, ata të cilët u njollosën për të paktën 3 vite në mënyrë që të ruhej reputacioni i Presidentit Josep Maria Bartomeu.

Postime të panumërta shfaqeshin nëpër rrjet për të ulur figurën e futbollistëve. Në shkurtin e vitit të kaluar, Bartomeu mohonte akuzat e ngritura ndaj tij. Sulmet kundrejt lojtarëve formuloheshin edhe në formë shantazhesh për Leo Messin, në mënyrë që të rinovonte me Barcelonën, çështje që solli tensionin e madh në muajt e verës dhe qëndrimin e detyruar të argjentinasit deri në fund të këtij sezoni.

Pikërisht Messi, i bindur për realitetin, do të shprehej në tetor se është një turp që klubi paguan për të kritikuar lojtarët. 8 pjesëtarë të Barcelonës nisën prej disa muajsh një investigim, i cili ka arritur të finalizohet dhe tashmë do të vërë përpara drejtësisë Presidentin Bartoumeu, CEO-n e klubit, Oscar Grau dhe kreun e shërbimeve ligjore të Barcelonës, Roman Gomez Ponti.

Arrestimi i ish-kreut të Barcelonës vjen një javë përpara zgjedhjeve të reja presidenciale që do të mbajë klubi i Barcelonës.